Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përmes të cilit i akuzuari Miqa Urosheviq është dënuar me 16 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për vrasje të rëndë të viktimës D.S. më 2017 në veri të Mitrovicës dhe armëmbajtje pa leje.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Urosheviq, avokati Xhelal Hasani ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal, si dhe vendimit për dënimin.
Avokati Hasani kishte propozuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, apo që e njëjta të ndryshohet dhe i akuzuari të lirohet për të dy veprat penale, apo që të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i butë.
Por, Apeli pas vlerësimit të pretendimeve ankimore të palëve dhe shkresave tjera të lëndës, ka gjetur se ankesat nuk janë të bazuara.
Në lidhje me pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli ka ardhur në përfundim se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në këto shkelje, ngase i njëjti është i qartë, i kuptueshëm dhe është në harmoni me vetveten dhe përmban faktet vendimtare lidhur me ekzistimin e veprave penale në fjalë.
“Të gjitha veprimet e ndërmarra nga ana e gjykatës së shkallës së parë në aspektin procedural janë përmbushur në mënyrë të qartë dhe të plotë përkundër asaj që mbrojtësi i të akuzuarit, është thirrur në dispozitat ligjore, duke u munduar që të mohojë ekzistimin e veprës penale nga ana e të akuzuarit, por, kolegji ka vlerësuar se pas procedimit dhe vlerësimit të gjitha provave nga shkresat e lëndës, të gjitha propozimeve, të gjitha ekspertizave të punuara në këtë çështje penale, rekonstruimit të vendit të ngjarjes, janë kryer të gjitha obligimet ligjore nga ana e gjykatës së shkallës së pare”, thuhet në vendim.
Tutje, për shkak të pretendimeve të mbrojtjes për shkelje të ligjit penal, kolegji i Apelit ka vlerësuar se në këtë çështje penale nuk ka pasur hapësirë ligjore që të merret aktgjykim lirues, ngase veprat penale për të cilat është shpallur fajtor i akuzuari janë të parapara në ligjin penal, nuk kanë ekzistuar rrethana që e përjashtojnë të akuzuarin nga përgjegjësia penale, dhe se vepra penale nuk është kryer në mbrojtje të nevojshme.
Po ashtu, Apeli ka vlerësuar se pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nuk janë të drejta sepse shkalla e parë në mënyrë të qartë ka vërtetuar se në veprimet e të akuzuarit Miqa Urosheviq, janë formuluar elementet qenësore të veprës penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, pasi mbrojtja në ankesë ka pretenduar se konstatimet e gjykatës lidhur me ekzistimin e fakteve janë në kundërthënie me njëra tjetrën dhe në kundërshtim me provat e proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Tutje, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ankimuar nga ana e mbrojtes dhe prokurorisë, për shkak të vendimit për dënimin.Apeli ka gjetur se Gjykata Themelore në Mitrovicë me rastin e marrjes së vendimit për dënimin, caktimit të lartësisë dhe llojit të tij, ka vlerësuar rrethanat rënduese, sikurse janë se i akuzuari ka qenë më parë i dënuar me aktgjykimin e Republikës së Serbisë – Gjykata e Lartë në Nish, me 20 vjet burgim, për vrasje të rëndë, në bashkim real me veprën penale “prodhimi i pa lejuar, mbajtja, posedimi i armëve dhe materieve eksplozive”, pastaj mënyrën e kryerjes së veprave penale, si dhe shkallën e intensitetit të kryerjes së të njëjtave, duke ardhur në përfundim se nga ankesa e prokurorisë, nuk ka ndonjë rrethanë posaçërisht rënduese, dhe as nga ana e mbrojtjes, ndonjë rrethanë posaçërisht lehtësuese.
“Kolegji ka ardhur në përfundim, se me dënimin e shqiptuar do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara nga vepra penale dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet në vendimin e Apelit.