Policia greke, në bashkëpunim me kolegët nga Maqedonia e Veriut dhe Zyrën Amerikane të Antidrogës në Athinë, shkatërroi një organizatë kriminale ndërkombëtare për trafik droge dhe sekuestroi mbi 100 kilogramë kokainë në Selanik. Policia e Selanikut njoftoi sot në konferencë për media se në Greqi janë arrestuar dhjetë persona, janë sekuestruar 104 kilogramë e 665 gramë kokainë, si dhe 280 mijë euro. Kokaina ka arritur në Selanik nga Amerika Latine, e fshehur në pjesë të posaçme në një kontejner me banane dhe u transportua nga porti në një magazinë të përdorur nga anëtarët e rrjetit kriminal.
“Në Selanik janë kapur 105 kilogram kokainë dhe janë privuar nga liria 10 persona, nga të cilët 7 shtetas të Republikës së Greqisë dhe 3 të Shqipërisë, gjersa në Maqedoninë e Veriut janë privuar nga liria 4 shtetas tanë. Kjo është realizuar si rezultat i shkëmbimit disamujor ë informacioneve me Shërbimin kundër drogës në Selanik për persona të cilët si pjesëtar të organizate ndërkombëtare kanë ndërmarrë veprime të ndryshme për furnizim dhe bartje të kokainës nga Ekuadori në Selanik me qëllim që më pas ta dërgojnë në vende të tjera. Kokaina nga Selaniku arriti e fshehur në 3 kontejnerë të mbushur me banane nga Ekuadori të cilat ishin porositur dhe paguar nga një person nga Shkupi.”- deklaroi Toni Angellovski, zëdhënës i MPB.