Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do ta presë nesër në takim ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Qeveria ka bërë të ditur se takimi do të fillojë herët në mëngjes, në ora 7:30, transmeton gazeta Papirus.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”, ka njoftuar qeveria përmes një komunikate.
Ardhjen e emisarit Lajçak në Kosovë, e ka konfirmuar më herët për gazetën online Reporteri.net, edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Zëdhënësi i BE-së tha se Lajçak me vizitën e tij në të dyja vendet synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha Stano.
“Në këtë kontekst mund të konfirmojmë se nesër do të jetë në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, përfundoi zëdhënësi i BE-së në përgjigjen e tij.
Kjo është vizita e parë e emisarit sllovak në Kosovë pas takimit të fundit të mbajtur me 2 maj në Bruksel, ku palët u dakorduan për Deklaratën për të Zhdukurit, ndërsa Kosova refuzoi propozimin e ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një ditë më vonë, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi i liroi nga detyra katër anëtarët e këtij ekipi menaxhues.
Kryeministri Kurti tha se “qartazi ekziston dëshira për një Republikë Sërpska në Kosovë dhe kjo dëshirë e ka shkruar këtë statut”.
Sipas tij, dokumenti, si i tillë, është “fundamentalisht në papajtueshmëri me kushtetutshmërinë”.
Kurti në këtë takim ka propozuar “një draft-vizion” se si do të duhej të ishin vlerat dhe principet dhe çfarë do të duhej të ishte korniza që e rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.
Gjatë ditës së djeshme edhe ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott teksa paralajmëroi “vizitorë të rëndësishëm” këtë javë në Prishtinë, tha se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke u mbështetur në vizionin e prezantuar nga kryeministri Kurti më 2 maj, e në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE.
Në anën tjetër, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq edhe gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën varet nga formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.