Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka miratuar vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Federatë së Rusisë dhe Bjellorusisë, pas agresionit ushtarak në Ukrainë.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla gjatë arsyetimit të këtij vendimi tha se bazuar në pakon e 10-të sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian, Kosova miraton masat e parapara.
“Në vazhdim të mbështetjes të kundërshtimit të agresionit të Federatës së Rusisë ndaj Ukrainës, në përputhje me masat e BE-së dhe SHBA-së, propozojmë ndryshimin e vendimit për zbatimin e Pakos së 10-të të BE-së ndaj Federatës ruse dhe Bjellorusisë”, tha Gërvalla.
“Si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë, BE-ja më 25 shkurt 2023 miratoi këtë pako të sanksioneve ekonomike. Kjo pako përfshinë eksportet e teknologjisë kritike të mallrave industriale, importet e asfaltit dhe gomës sintetike, sigurimi i kapacitetit të depozitimit të gazit për rusët, transitin përmes Rusisë për mallrat e eksportuar të BE-së”, ka shtuar ajo.
Gjithashtu, Gërvallës tregoi se janë vendosur sanksione shtesë kundër 87 individëve dhe 34 subjekteve ruse.
“BE-ja pezulloi licencat e transmetuesve të RT Arabic dhe Sputnik Arabic, kufizoi mundësinë e shtetasve rusë për të mbajtur çfarëdo pozicioni në organet drejtuese të infrastrukturës dhe entiteteve kritike të BE-së, vendosi sanksione shtesë kundër 87 individëve dhe 34 subjekteve duke përfshirë vendimmarrësit kryesor e udhëheqësit ushtarak, komandantët e grupit Wagner dhe prodhuesit e dronëve”, përfundoi Gërvalla.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, Kosova ka vendosur sanksione ndaj Moskës, duke ndjekur vendimet e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Përveç se ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kosova ka ofruar mbështetje për Ukrainën, duke strehuar përkohësisht disa gazetarë ukrainas. /