Kjo nuk mund të kuptohet. Të përlyhet një kuadër, një personalitet, një burrështetas i vyeshëm, besnik, i sinqertë, i pathyeshëm dhe demokrat. Dhe nga kush, nga një gazetë më prestigjioze botërore, siç është New York Times. Pse? E pakuptueshme. Nuk jemi në komunizëm, që skenat politike të montohen. Në shtetet demokratike duhet prezantuar faktet, në të kundërtën duhet dhënë llogari ligjore.
Përndryshe po i tolerove, këta ta shkatërrojnë shtetin. Herë të krahasojnë me Haxhi Qumilin, herë me Esat Pashën, herë me Enverin, herë Me Koçi Xoxen, herë me Putinin, herë me Stalinin, Leninin, etj.
Duke u identifikuar me hallin e vëllait tim Vuçiq unë sot ndodhem në lëkurën e tij. Vuaj me te, mbetem pa gjumë, me netë të tëra me te, brengosem për projektet tona të përbashkëta, çdo ndodhë me Kosovën, botën serbe, operacionin special rus në Ukrainë etj.
Përkundër të gjithave unë e kisha porositur mikun tim të shtrenjtë Vuçiq, që ndaj opozitës të jetë i pamëshirshëm. Ta zbatoi me përpikëri planin e Veljko Belivuk- ut, Ta padisë New York Time për shpifje, ose t´i zbatoi metodat e mia, rrënimin e objekteve të mediave të pavarura.
Perëndimi, EU dhe SHBA ose duhet të na përkrahin që të bëhemi pjesë e strukturave të tyre veriatlentike, ose të na lejojnë që ne në Ballkan të organizohemi, ashtu si ne vendosim.
Sipas zbulimit tim shkencor, mungon vetëm analiza e DNA, serbët dhe shqiptarët janë kushërinj. Ne jemi dy komunitetet më të mëdhaja në Ballkan, prandaj unë i kisha lutur që mos ta pengojnë konfederatën shqiptaro – serbe.
Ne premtojmë se do t´i realizojmë standardet evropiane dhe një ditë kur të jeni të gatshëm, ne do të jemi pjesë e juaj, por deri atëherë ne duhet të qeverisim në mënyrë që pushteti mos të rrezikohet nga Non Gratat.
Mikut tim, vëllait dhe kushëririt Vuçiq unë i premtoi përkrahjen time në çdo aspekt, e sidomos në atë familjar. Në rast se puna i vjen pisk, e kisha lutur që ta merr rrugën për në Shqipëri. Dera ime është edhe e tij. Shtëpia ime është edhe e tij. Kuzhina ime është edhe e tij. Wc ime i takon edhe atij, Oborri im është edhe i tij. Lagja ime është edhe e tij. Bashkia ime është edhe e tij. Qyteti im është edhe i tij. Rajoni im është edhe i tij. Shqipëria ime është edhe e tij.
Më shumë se kaq, nuk kam mundësi të bëj për te. Ne dy dhe zoti me ne.