I Dërguari i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka folur për procesin e zgjerimit duke thënë se vendet e këtij rajoni ende i preokupojnë çështje nga e kaluara.
Ai ka shtuar se të dyja palët duhet ta marrin më me seriozitet procesin e zgjerimit.
“Nuk dua që të flas në terma të fajësimit të dikujt, por ka faktorë nga të dyja anët si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga Ballkani që ka kanë çuar në një situatë kur ne jemi duke folur për të ardhmen e BE-së, por pa progres”, ka thënë Lajçak për agjencinë kroate të lajmeve, Hina.
“Ajo që dua të shoh për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor është që të nisin të marrin pjesë më tepër në programin për partneritet të BE-së. Të jenë në dhomën e njëjtë. Jo vetëm ne kur të flasim për Ballkanin Perëndimor, por po ashtu për ata që të jenë pjesë e diskutimit të temave të ndryshme, për të parë që ne jemi seriozë me ta”.