Dita e Europës tradicionalisht festohet më 9 maj të çdo viti. Në fillim ajo u caktua nga Këshilli Europian si Dita e Europës, por më vonë Bashkimi Europian e përcaktoi 9 majin në përkujtim të deklaratës Schumanit të vitit 1950, shkruan Gazeta Metro.
Kontinenti i vjetër e feston 9 majin – Dita e Europës, kur shënohet përvjetori i Deklaratës historike të ministrit francez të Punëve të Jashtme Robert Schuman, i cili më 9 maj 1950 propozoi model të ri të bashkëpunimit ekonomik dhe politik në Europë, përkatësisht formim të Komunitetit Europian për Qymyr dhe Çelik.
Bashkimi Europian nisi si projekt i bazuar tek dëshira dhe vullneti i dy shteteve që prej shekujsh e shihnin njëri-tjetrin në luftë të vazhduar për të dominuar në kontinentin evropian. Aspekti ekonomik dhe hegjemonia ishte ndasia kryesore ndërmjet Francës, fituese e Luftës së Dytë botërore dhe Gjermanisë si humbëse.
Zhvillimi ekonomik dhe rimëkëmbja e dy shteteve kryesore mund të arrihej vetëm nëpërmjet garantimit të paqes së vazhdueshme. Ndaj, ideja e Robert Schuman dhe Jean Monnet, ideatorëve dhe themeluesve kryesorë të projektit europian, vuri në pah nevojën për të gjetur elementët e përbashkët të nevojshëm përtej aspektit ekonomik të zgjerimit të mëtejshëm të projektit evropian.
Schuman i bëri thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën.
Ai propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake.
Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE’së vendosën ta festojnë 9 majin si “Dita e Europës”.
Ndryshe, institucionet e Bashkimit Europian e respektojnë këtë ditë çdo vit duke planifikuar një sërë ngjarjesh, duke përfshirë vizita, diskutime, konferenca dhe aktivitete kulturore që ndihmojnë publikun të mësojë më shumë rreth BE’së dhe se si funksionon ajo.
“Dita e Europës” është vetëm një nga njëmbëdhjetë (11) festat zyrtare vjetore në Kosovë, sipas Ligjit për Festat Zyrtare, të cilat shënohen ende me ditë pushimi edhe pse Kosovës ende nuk është anëtare e Bashkimi Europian, ndërsa i duhet rrugë e gjatë për t’u bërë pjesë e BE’së