Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se KEK-u është gjobitur nga ZRrE-ja me 3.2 milionë euro gjobë, sepse sipas tij, ka tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licencuara për operim në Kosovë.
Pra sipas tij, KEK-u ka bërë tregti me një kompani ilegale. Kësisoj, ai ngrit dyshimet duke pyetur se “çka po fshihet” në këtë ndërmarrje publike.
“Çka po fshihet në KEK? KEK është gjobitur nga ZRRE me 3.2 milionë euro gjobë, sepse ka tregtuar energji elektrike me kompani që nuk janë të licensuara për operim në Kosovë. Pra KEK ka bërë tregti me një kompani ilegale. Kjo do të duhej të ishte material shtesë për prokurorinë. Sepse në këtë formë janë bërë një sërë shkeljesh duke dëmtuar kompanitë e licensuara”, shkroi ai në Facebook.
“Ne kemi drejtuar pyetje ndaj ZRRE për këto çështje: Pse janë përzgjedhur kompani të palicensuara për të tregtuar energji? Sa është sasia e tregtuar e energjisë me kompanitë e palicensuara? Sa është kostoja financiare e këtij tregtimi? Kush janë kompanitë e palicensuara me të cilat KEK ka tregtuar energji?”, ishin pyetjet e Molliqajt.
Ai thotë se këto çështje dhe të tjerat që i kanë ngritur “do ta zbardhin edhe më shumë korrupsionin dhe keqmenaxhimin e theksuar në këtë sektor”.
Para tri ditësh, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) vendoi gjoba ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
ZRRE-ja e gjobiti KEK-un me 3.2 milionë euro, kurse KOSTT-in me 439 mijë euro.
“Në këtë seancë, pas shqyrtimit përfundimtar të raporteve të monitorimit, Bordi ka vendosur gjobë ne vlerën prej 3.2 milion euro për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe 439 mijë euro për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT)”, thuhej në njoftimin e ZRrE-së.
Zyra e Rregullatorit për Energji nuk i ka treguar arsyet për këto gjobitje.