Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka thënë se nuk dëshiron të dëgjojë më thashetheme se trajneri Carlo Ancelotti mund të largohet nga klubi këtë verë.
Madridi e fitoi trofeun e Kupës së Mbretit me një fitore 2:1 kundër Osasunës në finalen e së shtunës – i cili ishte i 20-të në historinë e klubit dhe i pari që nga viti 2014.
Ancelotti ka qenë nën trysni këtë sezon – dhe synim i ditur i Kombëtares së Brazilit – për shkak të paraqitjeve të dobët në Laliga, ku rivalja e përbetuar Barcelona është pothuajse fituese e ligës.
Megjithatë, me triumfin e së shtunës dhe arritjen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ku e pret Manchester City të martën, Perezi ka vendosur ta mbështesë italianin për ta vazhduar punën në Bernabeu.
“Nuk dua as të dëgjoj për këtë çështje më. Ai ka kontratë me ne dhe ne jemi të lumtur”, tha Perezi.
Kontrata e Ancelottit me Real Madridin zgjat vetëm deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe italiani ka thënë se dëshiron të qëndrojë sa më shumë që klubi dëshiron ta mbajë.
Ndërkohë, Brazili është pa trajner që nga Kupa e Botës 2022 dhe federata e futbollit e Brazilit ka lënë të kuptohet se është e gatshme ta presë përfundimin e sezonit evropian për ta emëruar trajnerin e ri.
Ancelotti e ka falënderuar Brazilin për interesimin.