Ukraina thotë se ka rrëzuar një raketë hipersonike ruse mbi Kiev, duke përdorur një sistem mbrojtës amerikan Patriot, i cili është i pari që ka kapur një nga armët më moderne të Moskës, raportoi të shtunën “Al Jazeera”.
Raketa Kinzhal është një nga armët më të fundit dhe më të avancuara ruse. Ushtria e saj thotë se raketa balistike e lëshuar nga ajri ka një rreze veprimi deri në 2,000 km dhe fluturon me 10 herë shpejtësinë e zërit, duke e bërë të vështirë kapjen. Shpejtësia hipersonike i lejon Kinzhalit të shkatërrojë objektiva të fortifikuara rëndë, të tilla si bunkerët nëntokësorë ose tunelet malore.
“Unë e përgëzoj popullin ukrainas për ngjarjen historike. Po, ne rrëzuam Kinzhalin ‘unikë’. Kjo ndodhi gjatë sulmit të natës më 4 maj në qiellin e rajonit të Kievit”, tha komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk.
Kjo shënon edhe herën e parë kur Ukraina përdor sistemin e mbrojtjes raketore Patriot.
Oleshchuk tha se Kh-47 u lëshua nga një avion MiG-31K nga territori rus dhe u rrëzua me një raketë të vetme Patriot. Ushtria ukrainase ka pranuar më parë se i mungojnë mjetet për të kapur armët supersonike.
Kinzhal është një nga gjashtë armët e “gjeneratës së ardhshme” të zbuluara nga presidenti rus, Vladimir Putin në vitin 2018.
Sulmi ajror i së enjtes erdhi një ditë pasi Rusia akuzoi Ukrainën për përpjekje të dështuar për të vrarë Putinin në një sulm me dron në kështjellën e Kremlinit në Moskë dhe kërcënoi se do të hakmerrej.
Ukraina mori dorëzimin e saj të parë të raketave Patriot në fund të prillit. Nuk ka specifikuar se sa sisteme ka ose ku janë vendosur, por dihet se ato janë siguruar nga SHBA-ja, Gjermania dhe Holanda.
Gjermania dhe SHBA-ja kanë pranuar se kanë dërguar të paktën një sistem, dhe Holanda ka thënë se ka ofruar dy, megjithëse nuk është e qartë se sa janë aktualisht në funksion.
Sistemi Patriot është një nga një sërë njësish të sofistikuara të mbrojtjes ajrore të furnizuara nga Perëndimi për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë një fushatë mujore ruse të sulmeve ajrore që kanë shënjestruar infrastrukturën kritike, objektet e energjisë dhe vendet e tjera.