Babë e bir në Tiranë janë vënë në pranga të Policisë pasi tentuan t’i merrnin shumën prej 100 mijë eurosh një biznesmeni në kryeqytet. Policia thotë se të arrestuarit janë Bedri Vodha 54 vjeç dhe Albert Vodha 24 vjeç (babë e bir).
Skema e mashtrimit ishte planifikuar një tjetër person, i cili është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për Florian Gjergji, i cili iu prezantua biznesmenit si zyrtar i lartë dhe duke i kërkuar shumën e parave, gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.
Sipas policisë, këta tre shtetas janë autorë edhe të një rasti tjetër të ngjashëm, të ndodhur në muajin mars të këtij viti, në Tiranë. Gjatë aksionit u sekuestruan 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Telegram”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare. Tentuan t’i merrnin një biznesmeni, shumën 100 000 euro, me anë të mashtrimit, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (babë e bir).
Identifikohet dhe shpallet në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale, i cili duke u prezantuar si zyrtar i lartë, në komunikimet në rrjetet sociale, iu kërkonte biznesmenëve, shuma të mëdha parash.
Zbardhet një rast tjetër i marrjes së një shume të madhe parash, nga këta shtetas, me anë të kësaj mënyre mashtrimi. Sekuestrohen 70 000 euro, 2 automjete, 5 celularë, 3 karta SIM, 1 laptop, 2 USB dhe 1 tablet.
Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Telegram”.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit B. V., 54 vjeç dhe A. V., 24 vjeç (babë e bir), banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. Gj., banues në Tiranë.