Gjykata Speciale ka njoftuar zyrtarisht se njëzet persona nuk kanë arritur të bindin gjykatësit e Hagës, as në shkallën e dytë, se janë viktima dhe të iu mundësohet pjesëmarrja në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Megjithëse ishin refuzuar edhe në shkallën e parë ata kanë parashtruar sërish kërkesë, kësaj radhe në Dhomën e Apelit, por përsëri janë refuzuar.
Kërkesat e këtyre 20 personave në instancën e dytë të Gjykatës Speciale janë dorëzuar nga dy avokatë qe ata i kishin angazhuar, ka thënë të premten në Hagë, një zëdhënëse e Gjykatës, gjatë një konference për gazetarë, permes internetit.
“Të mërkurën më 26 prill 2023 paneli i gjykatës së Apelit rrëzoi ankesat e 20 personave të cilët ishin lajmëruar për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima. Këta persona kishin apeluar vendimin por trupit gjykues i apelit i refuzoi kërkesat e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore ‘Thaçi dhe të tjerë’ “, ka thënë të premten një zëdhënëse e Gjykatës së Hagës, gjatë një konference permes internetit.