Këngëtarja Çiljeta Xhilaga gjatë ditëve të fundit është vënë nën “shënjestrën” e ndjekësve. Pas daljes së saj në krah të kandidatit socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliajt, ajo është “masakruar” në rrjet nga komente të cilat kanë shkuar deri në mallkime për familjarët e saj.
E ftuar në “Euronews”, Çiljeta është shprehur se është e zhgënjyer nga ata që ka dashur dhe mbëshetur dikur, pra nga demokratët.
“Unë dola dhe përpara dy viteve me Veliajn, se kuptoj pse këtë herë u bë shumë e zhurmshme. Padiskutim pati një impakt shumë të madh, komentet kanë qenë të pafundme. Vetëm me një ndryshim shumë të madh, kur isha në kohën e PD-së, PS-ja kishte një kulturë në të sharë, ndërsa këta të mitë e dikurshëm kishin një mllef të tmerrshëm deri te mallkime për fëmijët.
Instagrami ishte i mbushur me mallkime për mua për djalin që unë kam vënë duart në kokë dhe tani do ta quaj “Partia e Mallkimeve”. Kur pashë ato komente nuk kam asnjë pishman dhe asnjë peng, nuk kisha asnjë gjë të brendshme që të më stepte. Jam shumë e zhgënjyer realisht nga ata që unë kam dashur aq shumë dhe kam mbështetur aq shumë”, tha Çilaga.
Më tej ajo tha se nuk ka lidhje se si u kthye me PS, duke shtuar se ish-kryeministri Sali Berisha ka një vend të veçantë në zemrën e saj.
“Nuk ka lidhje si u kthyem. Berishën e kam xhan, ka një vend të rëndësishëm në zemrën time. Jam rritur komshie me të. Mezi prisnim që të dilte. Është tjetër gjë politika dhe është tjetër gjë njerëzit që mbajmë në zemër personalisht. Janë dy gjëra të ndryshme. Gjërat që ka bërë Veliaj në Tiranë, si ka bërë askush në Tiranë”, tha Çiljeta.