I emëruari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Escobar ka folur për dialogun, për Asociacionin dhe për pranimin e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Escobar ka thënë se prezantimi i draft-statutit për Asociacion ishte një progres i vogël në bisedime, teksa propozimin e Kurti e ka cilësuar si serioz, njëjtë siç e ka cilësuar edhe propozimin e Ekipit Menaxhues.
“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një.” – ka thënë ai në një konferencë të mbajtur online.
“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz. Tani, nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i lehtësuar nga Amerika; është një proces i lehtësuar nga evropianët. Dhe ajo që është e rëndësishme këtu është që të dyja palët normalizojnë marrëdhëniet e tyre, të harmonizojnë gjithashtu strukturat e tyre me Bashkimin Evropian në përgatitje për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian.” – u shpreh ai.
Këshilli i Evropës
Escobar ka folur edhe për pranimin e aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropë, duke thënë se me pranimin e Kosovës do të mund të trajtohen edhe kushtetet e komunitetit serb në Kosovë.
“Këshilli i Evropës e ka për detyrë të sigurojë që në hapësirën evropiane brenda atyre shteteve që aplikojnë, standardet e demokracisë dhe lirisë demokratike të zbatohen plotësisht. Kur them se është obligim, them se ka hapësirë brenda KiE për të shqyrtuar kushtet dhe statusin e pakicës serbe në Kosovë. Ky do të jetë një fokus i madh i hapit të ardhshëm të KiE.” – ka thënë ai.
Ai aplikimin e Kosovës në KiE e ka ndërlidhur me formimin e Asociacionit, si kusht për plotësimin e standareve të Këshillit të Evropës në respektimin e pakicave.
“Në këtë kontekst, mendoj se duhet të shohim lëvizje në Asociacion, lëvizje për adresimin e disa shqetësimeve legjitime që ka minoriteti serb në veri të Kosovës për trajtimin e tyre. KiE është një detyrim dhe madje i rëndësishëm, veçanërisht tani.” – ka thënë ai.
Ai nuk ka komentuar nëse Serbia ka shkeluar marrëveshjen kur ka penguar Kosovën që të anëtarësohet në BE.
Escobar tha se nuk i takon atij të tregojë për këtë, por BE-së sepse është grantuese e marrëveshjes.
Më tej, ai ka thënë se tashmë çështja është në duart e Kosovë dhe Serbisë për t’i formësuar propozimet e tyre që ato të mund të jenë të pranueshme.
“Topi është në fushën e të dy palëve tani’, për të filluar t’i formësojnë propozimet e tyre për t’i bërë më të pranueshme për palën tjetër dhe të fillojnë të punojnë në një model që mund të funksionojë në kornizat evropiane dhe që do t’i mbronte të drejtat e komunitetit të serbëve në Kosovë” – ka thënë ai.