Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin e tanishëm, Albin Kurti, se është politikan që “shkel mbi çdo gjë për ta ruajtur pushtetin” duke iu referuar negocimit të statutit të asociacionit gjatë të martës në Bruksel.
Përmes një shkrimi në Facebook, për takimin e sotëm në Bruksel në mes të Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Hoti ka cilësuar se kryetemat e këtij takimi janë deklarata për të pagjeturit dhe çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Postimi i plotë:
Sikur bisedat e sotme në Bruksel lidhur me asociacionin të ishin pjesë e “Marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ndoshta do i kisha kuptuar dhe arsyetuar qeveritarët aktual.
Por, pa kurrfarë premtimi për njohje reciproke, e me gjithë atë dhunë që kreu aktual i qeverisë ka përdorur për të kundërshtuar asociacionin, negocimi i statutit të asociacionit që ndodh sot në Bruksel është veprim i një politikani që shkel mbi çdo gjë për të ruajtur pushtetin.
Pavarësisht kësaj, dyshoj se ka mundësi të arrihet diçka më e mirë se ajo që parashihet në marrëveshjen e vitit 2015, ku thuhet në mënyrë eksplicite se statuti i asociacionit duhet të marrë pajtimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës para se të miratohet nga Qeveria.