Abstenimi në votë i Greqisë në Këshillin e Evropës kur po shqyrtohej faza e parë e aplikimit të Kosovës për anëtarësim ka zgjuar debat të ashpër në Beograd, por edhe është pritur me tone dyshuese edhe në Athinë. Ishte vetë Ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili hodhi vrer ndaj qeverisë helene në lidhje me këtë vendim, e ku madje premtoi edhe “reciprocitet” në qasje me këto shtete.
Për këtë gjë është deklaruar edhe Athina zyrtare. “Greqia nuk ka për qëllim njohjen e Kosovës” pavarësisht abstenimit në votimin për kalimin në fazë tjetër të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ka thënë këshilltari për Siguri Kombëtare i Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, Tanos Dokos. Këtë koment ky i fundit e bëri gjatë një diskutimi ditë më parë në Forumin Ekonomik të Delphi-t në Athinë, ku po merrte pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq ish-ministri grek i jashtëm, Georgos Katrougalos, gjithashtu pati një vlerësim rreth këtij qëndrimi të Athinës dhe shprehet se është i bindur se nuk po shkohet drejt njohjes së shtetit të Kosovës. Kështu tha ai në një prononcim për Euronews Albania.
“Siç e dini Greqia është një 4 vendet e BE që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Pozicioni ynë shpjegohet me faktin se ne duam të shmangim konflikte në Ballkan ndaj duam zgjidhje që të pranohen nga të dyja palët konform ligjit ndërkombëtar. Ne jemi në favor të dialogut direkt mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk ka një ndryshim të qëndrimit të Greqisë kundrejt njohjes së Kosovës dhe ne siç e kemi thënë duam një marrëveshje të pranueshme që të zgjidhë problemet në Ballkan, siç u bë me marrëveshjen e Prespës që i dha fund konfliktit mes Greqisë dhe RMV”, tha ish-ministri i Jashtëm grek.
Çfarë tha Athina?
Këshilltari për Siguri Kombëtare Dokos pati një shpjegim për abstenimin e Greqisë. “Besuam se ishte gjë e mirë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe qetësimit të tensioneve mes dy palëve”, tha ai.
Takos, i kujtoi Serbisë një gjë – se në Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve të pranuar në Ohër janë pajtuar të mos bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Edhe abstenimi i Athinës, tha ai, është bërë në këtë frymë.
“Nuk e kemi njohur Kosovën dhe as nuk do ta bëjmë. Por, po provojmë të jemi sa më konstruktiv që mundemi”, ka thënë Tanos Dokos, siç e cituan mediat serbe.
Kujtojmë se Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, me të kaluar suksesshëm aplikimi i Kosovës për në KiE në fazën tjetër, u shpreh “i zhgënjyer” me votën greke derisa edhe lajmëroi se këtë “zhgënjim” ia kishte përçuar kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Këshilltari Takos i drejtohet Daçiqit edhe me një gjë tjetër.
“Shpresoj që miqtë tanë serbë të mbajnë mend që në këtë i kemi mbështetur për vite”, ka thënë Takos.
Greqia ndonëse juridikisht nuk e njeh pavarësinë e shtetit të Kosovës, ka zhvilluar marrëdhënie të mira “bilaterale” me Kosovën, e madje në raste për nga intenziteti edhe më shumë se disa shtete të BE-së që formalisht e njohin Kosovën. Ka kohë që spekulohet se njohja e Greqisë mund të jetë afër, megjithatë, një gjë e tillë është mohuar kategorikisht nga shteti helen./Nacionale/