Profesori amerikan Alon Ben-Meir nëpërmjet një statusi në Facebook ka komentuar zhvillimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e gjithashtu edhe deklarimet e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me vendimet që morrën këto dy institucione.
KQZ dhe PZAP nuk e kanë certifikuar në listën zgjedhore të VV-së, kreun e kësaj partie, Albin Kurtin dhe 4 kandidatë të tjerë të kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit pasi të njëjtit janë të dënuar për vepra penale në së paku 3 vitet e fundit.
Kjo ndodhi pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë së Avdullah Hotit ku gjithashtu u specifikua se në zgjedhje nuk mund të kandidojnë persona që kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit
Profesori Alon Ben-Meir duke iu referuar vendimit të PZAP-së ka thënë se Kurti duhet të jetë i menqur dhe të pranojë këtë vendim, e jo ta bllokojë gjithë sistemin.
Ai është shprehur se Kosova duhet të formojë qeverinë e re, pasi ka shumë për të bërë e shumë pak kohë për të humbur.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deklaroi se ish-kryeministri Albin Kurti, kreu i partisë më të madhe opozitare, Vetëvendosje dhe katër anëtarë të tjerë të partisë nuk lejohen të garojnë si kandidatë në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, duke përmendur ngarkesat e tyre penale nga më pak se katër vite kohë. Gjashtëmbëdhjetë kandidatë nga partitë tjera gjithashtu janë ndaluar të garojnë. Ndjekja e sundimit të ligjit është me rëndësi kritike për të forcuar demokracinë; Kurti duhet të jetë i menqur ta pranojë këtë vendim, të përpiqet të pastrojë të dhënat e tij përpara se të provojë të bllokojë gjithë sistemin vetëm pse, në këtë situatë, nuk mund të kandidojë. Kosova duhet të ecë përpara dhe të formojë një qeveri të re, pasi ka shumë për të bërë dhe pak kohë për të humbur.”, tha Ben-Meir. Ndryshe, pas vendimit të KQZ-së dhe PZAP-së, Vetëvendosje do t’i drejtohet me ankesë edhe Gjykatës Supreme për interpretim të këtyre vendimeve.