Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës po konsiderohet si lehtësim për mjekët e infermierët që kanë synim që ta vazhdojnë ushtrimin e profesionit jashtë vendit.
Madje, nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, thonë se tani çfarëdo mase që do të ndërmarrë qeveria për përmirësimin e kushteve të profesionistëve shëndetësor, do të jetë vonë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se liberalizimi i vizave për kosovarët në zonën Schengen, do të ndikojnë të rritet numri i mjekëve nga Kosova.
Ai thekson se efektet e kësaj ikje të mjekëve, do të ndihen brenda një periudhe pesë vjeçare.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha po ashtu u shpreh se heqja e vizave, do të krijojë lehtësira të mëdha që edhe stafi infermieror të vazhdojë punën jashtë vendit.
Ai tha se aktualisht ka mungesë të infermierëve, por kjo do të jetë edhe më e theksuar në të ardhmen.
Berisha shtoi se pavarësisht masave që do të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, nuk do të prodhojnë rezultate në ndaljen e eksodit të infermierëve.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se dukuria e ikjes së profesionistëve shëndetësor edhe pa liberalizim të vizave po ndodh, por theksoi se kanë ndërmarrë masat që të parandalohet ky fenomen.
E sistemi shëndetësor në Kosovë viteve të fundit është përballur me ikje të madhe të mjekëve dhe në veçanti të infermierëve. Vetëm në vitin 2022, ishin 205 mjekë të rinj që ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësor e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të vazhduar të punojnë në spitalet privat në vend, ku u ofruan paga shumë më të mira.
Ndërsa, rreth 630 infermierë shkuan në vendet evropiane për të punuar.
Më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat për Kosovën, që i hapi rrugën qytetarëve të vendit që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen nga 1 janarit të vitit 2024. Ndërsa, një ditë më vonë në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.