Afati po kryhet e 100 euro ende s’u falën. Kësti i parë i tatimit për pronën kishte kohë të paguhej deri më 30 prill. E për ata që s’e kryen këtë pagesë ligji parasheh ndëshkime.
“Aplikohet 10 për qind në pjesën e papaguar si gjobë, dhe 0.65 për qind po ashtu në pjesën e pa paguar të këstit të parë si interes, saktësisht nëse një qytetar në këstin e parë e ka pasur për obligim të paguaj 100 euro, më 1 maj me automatizëm do të ndëshkohet.” tha Jeton Abazaj, Kryesuesi i drejtorëve të Financave, Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Abazaj tregoi që qytetarët kanë hezituar ta paguajnë tatimin para miratimit të Projektligjit për Tatimin në Pronë në Kuvend. Ky në fakt ishte pjesë e mbledhjes së kryesisë të hënën që u shty në mungesë kuorumi.
“Pikërisht për këtë ne kemi kërkuar nga Ministria e Financave të shtyjë afatin e pagesave e ankesave.” tha tutje Abazaj.
E nga Ministria e Financave nuk e përmendën mundësinë e shtyrjes së afatit, veçse pohuan që 100 euro do t’iu falen edhe atyre që e kanë shlyer borxhin.
“Falja vlen edhe për qytetarët që tashmë kanë paguar faturën e tatimit në pronë, dhe me rastin e hyrjes së ligjit në fuqi, pagesa që kanë bërë, u llogaritet si parapagim për këstet e tjera” bëri të ditur Antoneta Azemi, nga kabineti i ministrit, Hekuran Murati.
Rritja e faturave të tatimit në pronë u bë pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëri në fund të vitit të kaluar. Derisa kësti i dytë i tatimit mund të paguhen deri në fund të muajit shtator.