Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë.
Për një rast të tillë që ka ndodhur dje në rrugën ‘Aziz Zhilivoda’ në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të rinj janë kapur duke përdorur substanca narkotike me ç’rast kanë intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
E gjithë drama dyshohet të ketë filluar pasi të rinjtë me të parë zyrtarët policorë kanë tentuar që të ikin nga vendi i ngjarjes.
Një zyrtar policor është vënë në ndjekje të njërit prej të dyshuarve, me të cilin pati një vështirësi të madhe për ta vënë në kontroll dhe që ta arrestojë. 24-vjeçari dyshohet se për t’iu shmangur arrestimit ka goditur zyrtarin policor me shkallë alumini dhe e ka rrahur. Polici ka arritur që pas shumë përpjekjeve ta arrestojë të dyshuarin, tek i cili është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Në anën tjetër disa zyrtarë tjerë policorë kanë ndjekur të dyshuarin tjetër 20-vjeçar, ku pasi e kanë lokalizuar të njëjtit i janë gjetur pesë qëse me narkotikë.
Si pasojë e dhunës që u ushtrua gjatë aksionit, zyrtarët policorë kanë marrë lëndime trupore dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.