Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya, ku tha se Kosova është e përkushtuar të punojë ngushtë me këtë organizatë.
Osmani tha se Kosova është e gatshme që me këtë organizatë të bashkëpunojë në mënyrë që të arritën standarde më të larta në operacionet doganore, përfshirë edhe ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve doganorë.
“Kosova, sipas Presidentes Osmani ka arritur ta rrisë mbledhjen e të hyrave tatimore dhe doganore, teksa agjencitë e rendit, përfshirë Doganën e Kosovës, kanë kryer me sukses operacione të mëdha kundër kontrabandës në të gjithë territorin e shtetit”, thuhet në njoftim.
Më tej, e para e shtetit tha se Kosova mbetet e përkushtuar që të bëhet kampione rajonale për sundimin e ligjit, teksa shtoi se në vend po zbatohen reformat që rrjedhin nga direktivat përkatëse të BE-së.