Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç thotë se vendimi për të hapur urën mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut, tregon qëllimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të dëbuar serbët nga Kosova.
Gjatë një fjalimi në Sokobanja, Vuçiç u shpreh se Serbia nuk është në një situatë të lehtë.
“Albin Kurti, mori vendim, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të turpshme të rreme që mbajtën, të hapë urën që ishte digë dhe roje. për interesat e popullit tonë në veri të Republikës së Kosovës. Ata e morën edhe veriun e Mitrovicës, kjo është ideja e tyre e kahmotshme dhe populli ynë për shumë vite e kundërshtoi atë”, theksoi ai
Vuçiç nënvizoi se nuk do të ketë sukses për të dëbuar serbët nga Kosova.
“Ne do të mësojmë gjithçka që kemi për të ruajtur paqen dhe do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, në mënyrë që asnjë nënë të mos mendojë më se kë do të dërgojë në luftë. Por po ua themi edhe më parë se 2 maji dhe Brukseli, dhe kjo do të vazhdojë edhe pas kësaj – as mos e ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët në cilëndo pjesë të Kosovës, në atë rast do të dimë se çfarë të bëjmë”, shtoi presidenti serb.