Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla gjatë ditës së djeshme foli për marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëdhënie normale mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund t’i quash këto që i kemi momentalisht. Më 18 mars në Ohër është bërë një marrëveshje për implementimin pra cilat do të jenë sekuencat në bazë të cilave do të implementohet marrëveshja e Brukselit. Unë dëgjoj ndërkohë Vuçiqin e Daçiqin dhe sinqerisht e pyes vetën a kemi marrëveshje apo nuk kemi marrëveshje?! Po të dëgjosh deklaratat e tyre, mënyrën se si ata e trajtojnë atë për të cilën jemi marrë vesh në Bruksel, atëherë zgjohet pyetja se ku jemi me ta. Unë besoj në partnerët tanë evropianë dhe amerikanë të cilët në fund të fundit janë garantues të kësaj marrëveshjeje do ta zgjedhin gjuhën ndaj Vuçiqit me qëllim që këto lloj deklaratash të marrin fund”, tha Gërvalla.
Ajo tutje tha se Kosova deri sot nuk e ka pasë asnjë mundësi ta paraqes asnjë draft-statut sepse sipas saj fillimisht duhet të paraqitet nga dikush tjetër.
“Kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm që më datën 19 mars të paraqet një draft të një statuti por nuk ka qenë e gatshme as Serbia ta pranojë, as BE-ja ta trajtojë. Në momentin e parë të mundshëm institucionet e Republikës së Kosovës do të paraqesin një draft të mirë, të bazuar në vlerat evropiane, të fqinjësisë së mirë, që nuk e cenon sovranitetin e Republikës së Kosovës edhe nuk e cenon funksionalitetin e Kosovës. Sepse këto janë dy vijat e kuqe të cilat asnjë asociacion asnjë draft, asnjë negociatë, asnjë dialog nuk mund t’i shkelë”, tha Gërvalla.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në një intervistë për RTV21 tha mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithmonë janë të vështira, pasi që sipas saj Kosova ka të bëjë me dy palë të ndryshme.
“Në njërën anë kemi një përfaqësuese të UNMIK-ut e cila në vazhdimësi po ashtu si paraardhësi i saj, raportet që i paraqet në Kombet e Bashkuara janë selektive, duke vënë në pah vetëm negativitet dhe duke manipuluar opinionin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Në anën tjetër përfaqësuesit serbë të cilët ende nuk e kanë kuptuar që Kosova ka rrugën e saj, që Kosova si shtet i pavarur dhe sovran zgjedh rrugën, mjetet edhe miqtë e saj. Vazhdojnë me retorikën e vitive 90, vazhdojnë me retorikën e Sllobodan Millosheviqit. E patë që asgjë më tepër nuk bëri Ivica Daçiq, i cili është ministër i jashtëm i Serbisë i cili vazhdon me po të njëjtat fjalë, po të nëjtën gjuhë e cila në Kosovë ka çuar në luftë në vitet 90-ta”, tha Gërvalla.
Gjatë diskutimeve për raportin e ri gjashtëmujor për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministrat e Jashtëm të Kosovës dhe Serbisë e akuzuan njëri-tjetrin se po e bllokojnë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në seancën që u mbajt në New York të SHBA-së dhe u kryesua nga Rusia, anëtarët e Këshillit të Sigurimit bënë thirrje që të arrihet marrëveshje në Bruksel dhe që të dyja palët të përmbahen nga nxitja e tensioneve.
Që nga miratimi i Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 10 qershor 1999, ky organ ka diskutuar për Kosovën katër herë në vit deri në vitin 2018.
Në vitin 2019 janë mbajtur tri seanca të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ndërsa nga viti 2020 mbahen nga dy seanca në vit