Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi të arritur gjatë këtij viti.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po mbahet seanca për Kosovën, Ziadeh tha se marrëveshja e 27 shkurtit në Bruksel dhe pajtueshmëria për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër duhet të reflektojnë me udhëheqje dhe veprime të guximshme që të normalizohen raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ziadeh: Zotimet në marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohen
“Pa një mekanizëm për bisedime të vazhdueshme situata mund të rëndohet akoma më shumë në Kosovë me pasoja edhe për stabilitetin në rajon. Prandaj një vëmendje dhe fokus i vazhdueshëm tek parimet e pohuar në mënyrë të përbashkët më 27 shkurt në Bruksel dhe të cilat janë shtjelluar më tutje më 18 mars në Ohër duhet të përputhen me veprime të guximshme lidershipi. Zotimet specifike janë bërë nga dy palët lidhur me rrugëtimin për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të ndërmerren hapa të menjëhershme për krijimin e vullnetit të mirë në teren, kjo është e rëndësishme që të shtohet besimi sa i përket normalizimit dhe përmirësimit të gjendjes në teren”, tha ajo.
Duke raportuar në Këshillin e Sigurisë, ajo përmendi edhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, derisa tha se pret që në takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut më 2 maj në Bruksel të nënshkruhet deklarata për të pagjeturit dhe të fillohet diskutimi për formimin e Asociacionit.
Ziadeh: Zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit prill kanë qenë të rregullta dhe të qeta
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit prill kanë qenë të rregullta dhe të qeta. Në të njëjtën kohë duhet të trajtohen edhe çështjet e përfaqësimit si pjesë e një procesi më të gjerë politik, i cili është duke ndodhur. Liderët e zgjedhur dhe autoritete e tjera duhet të reflektojnë dhe përmbushin interesat e zgjedhësve. Me datën 2 maj zotimet e dy palëve në lidhje me personat e zhdukur ka potencial për rifillimin e bashkëpunimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për personat e zhdukur. Të dy palët duhet të japin mundësi për dhënien e përgjigjeve për më të dashurit e tyre. Përfaqësimi i ekipit menaxhues i hartimit të draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të qojë direkt tek konsideratat e drejta dhe të mirëfillta”, shtoi ajo.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në seancën për Kosovën do të marrë fjalën edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla.