Ambasadori i Serbisë në ShBA, Marko Gjuriq, raportohet të ketë thënë se presidenti Aleksandër Vuçiq takoi sekretarin amerikan, Antony Blinken, atëherë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk mund të takohej me zyrtarë të lartë amerikanë.
Mediumi serb “Kosovo-Online” raporton se Gjuriq ka deklaruar që “Serbia e shfyrtëzon çdo mundësi për ndërveprim me zyrtarët amerikanë”.
Tutje, ai citohet të ketë deklaruar se “presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe sekretari Blinken u takuan në momentin “kur Kurti po bënte disa lëvizje të njëanshme dhe nuk mund të takohej me zyrtarë të lartë amerikanë”.
“Për Serbinë është e rëndësishme që Amerika të mos jetë një vend i një teme dhe që marrëdhëniet amerikano-serbe të rrotullohen vetëm rreth çështjes së Kosovës, pavarësisht se sa thelbësisht e rëndësishme është kjo çështje.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, Gjuriq thuhet se ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi duke thënë për Asociacionin se “koha e sinjaleve ka kaluar shumë dhe koha për rezultate dhe veprime konkrete është vonuar”.
Vlen të theksohet se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq pritet që të takohen në Bruksel gjatë së martës të ardhshme, ku mes tjerash, do të diskutohet edhe për Asociacionin.