Interi regjistron rekord të ardhurash për ndeshjen ndaj Juventusit. Klubi zikaltër ka shitur të gjithë biletat në dispozicion për sfidën ndaj bardhezinjve, që do të luhet mbrëmjen e sotme në “San Siro”, me objektiv kualifikimin në finale.
Plot 75 mijë tifozë do të mbushin shkallët e stadiumit mitik, shifër që tejkalon atë të derbit ndaj Milanit sezonin e kaluar, edhe atëherë në gjysmëfinale.
Vlen të theksohet se klubi zikaltër ka raportuar rreth 5 milionë euro të ardhura nga shitja e biletave për ndeshjen ndaj Juventusit, një shifër kjo rekord për një ndeshje të Kupës së Italisë.
E nëse në tribunë spektakli është i garantuar, tashmë u takon skuadrave në fushë, që të bëjnë më të mirën, për të ofruar një 90-minutësh ashtu siç i ka hije derbit të Italisë.