Blerim Bajraktari dhe Ramadan Brahimi janë dy kosovarët që u dërguan për trajtim më të gjerë në Spitalin e Nishit, pas rrokullisjes së autobusit që ishte nisur nga Lubjana e Sllovenisë për në Kosovë. Gazeta Express ka arritur të marrë edhe rrëfimin e një pasagjeri dhe deklaratën e kompanisë së këtij autobusi që la të lënduar nëntë persona. Por, cili ishte shkaktari i këtij aksidenti?
Në mëngjesin e sotëm, në afërsi të fshatit Kurshumli, një autobus që udhëtonte nga Lubjana e Sllovenisë për në Kosovë, është rrokullisur dhe si pasojë kanë mbetur të lënduar disa kosovarë.
Në këtë autobus, sipas një pasagjeri, rrëfimin e të cilit e mori Express, ishin rreth 15 udhëtarë dhe 9 prej tyre janë të lënduar.
“Po për fat kur ka ndodh aksidenti unë isha në gjumë kam ndëgju bërtima e ulërima”, ka thënë Gentian Aliaj për Gazetën Express.
Gentian Aliaj ishte njëri nga pasagjerët e këtij autobusi dhe tha se ai nuk ka pësuar lëndime trupore, por 9 persona të tjerë po.
Këtë rast e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila ka konfirmuar se dy kosovarë janë dërguar në Nish për tretman mjekësor, pasi ata kanë pësuar lëndime të rënda të natyrës ortopedike.
Fjala është për Blerim Bajraktarin, lindur me 1970, dhe Ramadan Brahimin, i lindur me 1960. Të lënduarit, thonë zyrtarë nga MPJ, janë në gjendje shëndetësore stabile.
Cili ishte shkaku i aksidentit?
Nga autoritetet kosovare askush deri më tani nuk ka qenë në gjendje të tregojë shkakun e aksidentit.
Ndërsa, mediat në Serbi kanë thënë se shkaktari i këtij aksidenti ishte se shoferin e kishte zënë gjumi, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Por, para se të dihej numri i qytetarëve të lënduar dhe detaje të tjera të këtij aksidenti, Gazeta Express kishte kontaktuar edhe me kompaninë e autobusit, “R-Gashi”.
Të pyetur për shkakun e aksidentit, agjencioni u deklarua se autobusi nuk kishte ndonjë defekt.
Përmes një telefonate, agjencioni turistik kishte thënë se vetëm shoferi i autobusit ka mbetur i lënduar dhe është dërguar në spital për trajtim, kurse pasagjerët e tjerë janë duke u kthyer shëndosh e mirë për në Kosovë.
“Po ka ndodhë aksidenti, po veç shoferi është lëndu, ai është dërgu në spital, e pasagjerët tjerë i nisëm me autobus të ri për në Kosovë”, thanë përmes linjës telefonike për Express nga Agjencioni turistik.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:50, dhe mediat serbe thonë se të lënduarit janë dërguar në spitalin e Prokuples.
Ortopedi serb në Spitalin e Prokuples, Aleksa Saviq, atje ku u dërguan fillimisht pasagjerët e lënduar, ka treguar se nga rrokullisja e autobusit, kanë mbetur të lënduar 9 persona, por tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Tre prej tyre kanë thyerje të gjymtyrëve dhe për këtë arsye janë dërguar në Nish për trajtim të mëtutjeshëm”, tha ai për media.
Mediat në Serbi, megjithatë, kanë thënë se shkaktari i këtij aksidenti ishte se shoferin e kishte zënë gjumi, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Autobusi i kompanisë “R-Gashi” ka dalë nga rruga në drejtim të Nishit, që po vinte për në Kosovë, pasi, sipas mediave serbe, shoferi ka humbur kontrollin e autobusit dhe ka rrëshqitur jashtë rrugës.