Merkato e zhvilluar nga Paris Saint-Germain në sezonet e fundit është nga ato që secili klub i madh europian do ta kishte zili. Emra prestigjiozë si Mbappe, Messi, Ramos, Hakimi apo Donnarumma i janë bashkuar kryeqytetasve. Megjithatë, shpenzimet pa hesap kanë edhe telashet e tyre kanë nga pas.
Të paktën kështu rezulton nga një vëzhgim i bërë së fundmi nga “DNCG” që është edhe autoriteti i ngarkuar për të kontrolluar llogaritë e klubeve franceze. Në raportin e fundit të “DNCG” rezulton se PSG ka akumuluar sezonin e kaluar një humbje që kap shifrën e 368 milionë eurove. Jo më kot, në muajin gusht parisienët morën edhe një paralajmërim nga UEFA në lidhje me Fair-Playn financiar.
Pagat për organikën prestigjioze të PSG shkojnë deri në 729 milionë euro dhe kjo është diçka historike e padëgjuar më parë ndërsa nga ana tjetër sheiku Al-Khelaifi mund t’i gëzohet faktit që fitimet shkojnë në diçka më shumë se 700 milionë euro, edhe kjo një shifër rekord sa i takon një klubi francez.
Gjithsesi, fakti që bilanci është minus 368 milionë euro është një alarm dhe “kursi” duhet të ndryshojë teksa kjo situatë pritet të detyrojë drejtorin Luis Campos të ndryshojë tërësisht strategji në merkaton e verës në mënyrë që të shmanget ajo që të gjithë në Paris i druhen, një sanksioni nga UEFA për shkak të Fair-Playt financiar.