Çmimet e produkteve të grurit nuk do të bien. Buka në shumicën e furrave të Kosovës shitet me çmimin 50 cent.
Në treg çmimet e grurit kanë rënë për 20 deri në 30 për qind, por shoqatat e mullistëve të Kosovës thonë se aktualisht çmimet e bukës nuk do të bien, madje kanë paralajmëruar rritjen e tyre.
Kryetari i shoqatës së mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu thotë se rënia e çmimit të grurit në tregun botëror do të duhej të reflektonte edhe në çmimin e bukës.
“Çmimi i drithërave ka pësuar rënie që nga fillimi i muajit mars dhe me sinqeritetin me të madh e them që kjo ulje e çmimit të drithërit duhet të ndikoje edhe në produktet e tjera. Nëse furrtarët e përdorin energjinë elektrike për pjekje, mund të ndikojë edhe kjo në një shtrenjtimin tjetër të bukës por sa i përket përpunimit të miellit, energjia elektrike është një problem”, tha Zejnullahu.
Rrittja e çmimit të bukës ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët. Me pagat e dobëta rritja e çmimeve është e papërballueshme tha një qytetar, Bislim Ademi.
“Nuk është e arsyeshme. Pensionet dhe pagat, të gjitha të dobëta…Është e papërballueshme, jo vetëm buka por edhe shumë artikuj ushqimorë”, theksoi ai.
Që prej dy javësh Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka rritur për 15 për qind çmimin e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera. Kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se qeveria e Kosovës duhet ta rregulloje çmimin e bukës në treg në mënyrë që t’i mbrojë konsumatorët nga ngritja e vazhdueshme e çmimeve.
“Po, dëmtohet qytetari konsumator, familja konsumatorë. Duke e pasur parasysh faktin se ne si popull jemi buke ngrënës, pra na pëlqen buka. Pra, standardet na kanë imponuar si artikull kryesor ta kemi bukën. Ne nga kjo jemi dëmtuar edhe më parë sepse shumë pak i është kushtuar rëndësi dhe natyrisht kur një gjëje i kushtohet pak rëndësi, vjen një momentum kur të ngjet në fyt dhe ky momentum po ia ngjet për fyti qeveris, por edhe ministrive të tjera sepse na kanë zënë gafil. Duhet të kemi ulje të çmimit, pra të shumicës së komponentëve që bëjnë pjesë në bukë”, tha Kaçniku.
Profesori Imer Rusinovci thotë se Kosova është e detyruar që të importojë grurë nga jashtë, pasi sipërfaqja në vend është e pamjaftueshme për nevojat e popullit. Ai theksoi se edhe ato pak fermerë që kultivojnë grurë nuk subvencionohen nga qeveria dhe si pasojë ka edhe mungesë të grurit vendor.
“Kosova edhe sot e kësaj dit karakterizohet me pamjaftueshmëri të prodhimit vendor dhe në një formë një sasi e madhe e kontigjentëve të caktuara të drithërit ose miellit të grurit vjen nga importi. Kjo për pasojë krijon laramani në tregun vendor përderisa çmimi i grurit si artikullin më strategjik e përcakton berza ndërkombëtare. Në berëz ndërkombëtare ka ra çmimi i grurit dhe në këtë konotacion në nuk mund të ndikojmë sepse jemi vend i vogël. Demotivimi i fermerëve në zonat e thella rurale, invazioni i madh i popullatës drejt qendrave urbane ka shkaktaur çrregullime të mëdha në tregun vendor, pra në produktet strategjike”, tha Rusinovci.
Kosova sasinë më të madhe të grurit e importon nga shtetet e rajonit, përkatësisht nga Serbia dhe vendet e tjera fqinje./21Media