Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për moszgjatjen e kontratave për rojet e monumenteve kulturore, duke thënë se në vend të kësaj, pushteti orientim të vetëm strategjik ka ‘videot propaganduese’.
“Trashëgimia kulturore e vendit tonë ose po e ndryshon karakterin e saj sipas dëshirës së disa agjencive të huaja që po investojnë në drejtim tjetër kulturor ose ka mbetur pa kujdes shtetëror e si rrjedhojë shumë asete të trashëgimisë kulturore janë në fazë degradimi. Viti 2019 shënon fundin e investimeve kapitale në arkeologji e për pesë muaj lokalitet arkeologjike kanë mbetur pa roje, sepse ky pushtet nuk ka arritur t`ua vazhdojë kontratat rojeve që kujdesen që këto monumente të mos rrezikohen”, ka shkruar Halimi në një status në Facebook.
Ajo rikujtoi se Raporti i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka shprehur shqetësim lidhur me gjendjen e monumenteve kulturore.
“Natyrisht, kur kemi një pushtet që orientimin e vetëm strategjik i ka videot propaganduese, shumë thesare të trashëgimisë autoktone sot janë lënë nën mëshirë të kohës. Ndërsa, si rezultat i neglizhencës së këtij pushteti janë duke u shkatërruar lokaliteti arkeologjik i Ulpianës, Kalaja e Korishës, Kalaja e Harilaqit, Lokaliteti Arkeologjik i Dresnikut, Kështjella antike e Keqekollës, Kalaja e Vushtrrisë, Kalaja e Veletinit e Hidroelektrana-Muzeu i Elektronomisë në Prizren”, u shpreh tutje Halimi.
“Trashëgimia jonë kulturore po shkatërrohet nga pakujdesi, ndërsa Ministria e Kulturës editon video shumë të kushtueshme për promovimin e saj!”, përfundoi ajo.