Policia e Kosovës njofton se ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në komunat veriore të Kosovës, i cili pritet të mbahet nesër.
Qëllimi i këtyre planifikimeve dhe koordinimeve është implementimi i planit operativ policor, ku Policia e Kosovës synon krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës: para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, për t’u mundësuar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës të gjithë pjesëmarrësve.
Njëkohësisht, institucionet relevante inkurajojnë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, KQZ-në dhe, të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë, me procesin zgjedhor apo edhe jashtë tyre.