Zgjedhjet e së dielës në katër komunat veriore “do të shënojnë zyrtarisht turpin e botës dhe Evropës”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa 23 prillin e së dielës e vlerësoi për “ditë të tmerrshme për demokracinë”. Gjatë një interviste për kanalin televiziv krejtësisht nën kontrollin e qeverisë serbe “TV Prva”, ai tha se serbët nuk do të dalin në votime këtë fundjavë.
“Serbët i kanë lënë institucionet e Kosovës jo për shkak të tekave të tyre, ose sepse ishin të rrjedhur apo budallenj, ose sepse duan të mbajnë barrikada apo diçka të tillë. Ata u larguan sepse komandanti [Nenad] Gjuriq u përjashtua jashtëligjshëmn. [Ivan] Todosijeviq u dënua për një krim gojor, që shumë serbë u arrestuan, që qëlluan mbi serbë e madje edhe mbi fëmijë, e tash edhe mbi Jovanoviqin”, ka vazhduar të thotë ai. Kthimi i serbëve në institucione të Kosovës Aleksandar Vuçiq tha se do të bëhet vetëm pasi të formohet Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe.
Kutjojmë se gjatë ditës së sotme kandidaturën e tj për kryetar të Komunës së Leposaviqit e ka tërhequr edhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës, me ç’rast nga komuniteti serb ka mbetur vetëm kandidatja e pavarur për kryetare të Komunës së Zveqanit, Sllagjana Pantoviq.
“Tashmë nuk ka kandidatë serbë në tri komunat më të mëdha në Veri. Ka kandidatë nga partia e Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit. 300 shqiptarë janë të regjistruar në Leposaviq prej 15 mijë dhe 60-70 jetojnë aty. Do t’i sjellin nga Podujeva që të votojnë. Do të ketë dalje 2 përqind maksimum”, vazhdoi ai.
“Turp të gjithë atyreve bashkërisht, tërë QUINT-it, të gjithë atyre gënjeshtarëve”, u shpreh ai.
Lista Serbe, me thirrje edhe të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bojkotuar këto zgjedhje duke thënë se qëndrojnë në kushtet e tyre: themelimin e Asociacionit të Komunaver të banuara me shumicë serbe dhe tërheqjen e të gjitha njësive speciale nga pjesa veriore e vendit. Ndërkaq Qeveria e Kosovës, në asnjë mënyrë nuk ka pranuar që të shtyhen edhe njëherë zgjedhjet në veri vetëm për shkak të Listës Serbe, ndonëse ky subjekt politik ka afërsisht 90% të mbështetjes së elektoratit në ato zona.
Megjithatë, dy mesazhe amerikane, një nga Zëvendëndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar dhe Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, kanë lënë të kuptohet se ShBA do t’i vëzhgojë këto zgjedhje. Escobar është shprehur se pavarësisht bojkotit të Listës Serbe rezultati i prodhuar nga këto zgjedhje do të njihet nga ShBA, ndërkaq Christopher Hill ka thënë se ShBA konsideron që nuk është koha e duhur për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.