Të mërkurën është marrë vendimi për emërimin e Kryeshefit të ri të Ndërmarrjes “Trainkos”. Ai është Agron Statovci, kushëri i deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga “Lista GUXO”, Jeta Statovci.
Raportimet në media se Statovci është familjar i afërt i deputetës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ngjallur reagime në publik, ndërsa reagim pati edhe nga vet deputetja Jeta Statovci.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook ka mohuar të ketë “djal të axhës” Agron Statovcin, ndërsa ka thënë se personi në fjalë punon nga viti 2006 në këtë Ndërmarrje. Por pavarësisht kësaj, vet Kryeshefi i ri i Trainkos e ka pranuar se e ka “njëfarë kushërire” deputeten Statovci.
Në një telefonatë me Paparacin, ai e ka pranuar lidhjen familjare me deputeten Statovci, por ka thënë se nuk e di çfarë peshe ka kjo.
“Jetën e kam njëfarë kushërire, por nuk e di çka qon peshë tash kjo punë”, ka thënë ai. “Po sipas logjikës tuaj tash duhet me e mbytë Jetën a qysh? Faleminderit për pyetjet po nuk kam asgjë zyrtare, ditën e mirë”.
Megjithatë, deputetja Statovci në reagimin e bërë fokusohet të mohojë lidhjen familjare si ‘djal i axhës”, por nuk e mohon lidhjen familjare me Agron Statovcin, tashmë Kryeshef i Trainkos-it.
“Lajmi me titull: Djali i axhës së deputetes Statovci emërohet Kryeshef i “TrainKos’’-it më befasoi. Deri sot nuk paskam qenë në dijen që unë paskam djal të axhës, dhe ky lajm po që është lajm i dyfishtë, edhe për djalin e axhës edhe për shefin e TrainKos. Por, natyrisht, si shpeshherë, edhe ky lajm është tërësisht i pavërtetë. Djali i axhës së deputetes Statovci nuk është bërë kryeshef në TrainKos. Unë nuk kam fare djal të axhës. Sot faktikisht kuptova që personi në fjalë, punon në ketë institucion që nga 2006, pra qe 17 vite. Tendenca që pa asnjë verifikim secili mbiemër të lidhet me qëllim dëmtimin e personalitetit është jashtëzakonisht e rrezikshme.”, shkruhet në reagimin e Statovcit.
Megjithatë, lidhja dhe afërsia e Agron Statovcit me deputeten e GP të Lëvizjes Vetëvendosje shihet edhe në postimet e tij në Facebook, të cilat i ka fshirë pas bisedës me Paparacin.
Më 5 prill të këtij viti, Agron Statovci e shpërndau një paralajmërim për një paraqitje televizive të kushërirës së tij, të cilës i ofronte përkrahje.