Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është marrë vendim që deklaratat e dy dëshmitarëve të pranohen me shkrim, ndërsa mbrojtja do ta ketë mundësinë që t’i marrë në pyetje.
Kështu bëri të ditur Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të enjten gjatë konferencës javore, ku ndër tjerash tregoi edhe për zhvillimet që e kanë karakterizuar Gjykatën gjatë pushimit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 20 dhjetor dhe më 6 janar, trupi gjykues vendosi mbi një kërkesë të Prokurorisë për të pranuar si prova dëshmitë me shkrim të dy dëshmitarëve dhe provat materiale shoqëruese, ndërsa dëshmitarët duhet të jenë në dispozicion për t’u marrë në pyetje nga pala kundërshtare. Krahas kësaj, trupi gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar një dëshmitar të japë dëshmi nëpërmjet video-konferencës”, tha Griep.
Për të njëjtin rast, Griep ripërsëriti që më 18 dhjetor 2024 është miratuar një kërkesë e mbrojtësit të viktimave që një person i afërm i një viktime që tashmë ka ndërruar jetë, të marrë pjesë në emër të saj në procesin gjyqësor.
Ndërsa në rastin Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, që ka të bëjë me pretendimet për ndikim në dëshmitarë, Griep tha se Thaçi është deklaruar i pafajshëm.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 20 dhjetor, gjykatësja e procedurës paraprake lëshoi vendimin kornizë mbi nxjerrjen e provave dhe çështje të lidhura me të. Ky vendim përcakton kalendarin për procesin e nxjerrjes së provave, gjatë të cilit Prokuroria duhet t’i japë mbrojtjes provat që synon të përdorë gjatë gjykimit, si dhe vendos mbi aspekte të tjera lidhur me përgatitjen e shpejtë të çështjes gjyqësore për gjykim”, tha tutje Griep.
Zëdhënësja tregoi se është bërë publik më 24 dhjetor vendimi i Kushtetueses mbi kërkesën e Thaçit me pretendime për shkelje të të drejtave të tij themelore, për shkak të masave hetimore të posaçme të urdhëruara nga gjykatësi i procedurës paraprake për atë gjatë paraburgimit të tij në 2023-ën.