Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Shqipërisë do të karakterizohet nga një përbërje e re parlamentare, me 72 deputetë që marrin mandatin për herë të parë. Prurjet e reja janë nga të gjitha forcat politike, por pjesa më e madhe vjen nga Partia Socialiste, e cila siguroi 83 mandate në zgjedhjet e 11 majit.
Nga këto, 53 janë deputetë të rinj, ku 46 kishin vend të sigurt në listat e kandidatëve, ndërsa të tjerët e fituan mandatin përmes konkurrencës së brendshme me vota preferenciale.Partia Demokratike, që do të përfaqësohet me 50 deputetë, sjell 6 emra të rinj përmes votës preferenciale, mes tyre vetëm një grua – Jorida Tabaku, e cila do të vijojë mandatin në qarkun e Tiranës.
Ndër partitë e tjera, bie në sy rikthimi i Tom Doshit në Kuvend, përmes Partisë Socialdemokrate, ndërsa dy deputetë të tjerë janë emra të rinj. Nga partia Mundësia, e cila siguroi 2 mandate, rikthehet Agron Shehaj, dhe deputeti tjetër është një përfaqësues i ri nga Tirana. Dy forca të tjera politike do të përfaqësohen për herë të parë në Kuvend me nga një deputet secila.Në këtë legjislaturë, për herë të parë pas vitit 1992, Pandeli Majko nuk do të jetë pjesë e parlamentit, duke përjashtuar mungesën njëvjeçare gjatë viteve 1996-1997.
Ai ka shërbyer si deputet për nëntë legjislatura radhazi. Së bashku me të, 42 deputetë të tjerë të Partisë Socialiste, që kanë mbajtur një ose më shumë mandate më parë, nuk do të jenë pjesë e Kuvendit të ri.
Në radhët e koalicionit opozitar të drejtuar nga PD, afërsisht gjysma e deputetëve aktualë do të ruajnë vendet e tyre në legjislaturën e ardhshme.