Me një postim prekës në rrjetin social Facebook, Samir Kabashi ka ndarë lajmin e dhimbshëm për gjetjen e eshtrave të vëllait të tij, Xheladin Jetish Kabashi, pas 26 vitesh pritjeje, shkruan Gazeta Papirus.
Rivarrimi i tij do të bëhet të dielën, më 19 janar 2025, në orën 13:00, në Varrezat e Dëshmorëve në Polac. Në njoftim, Samiri thekson se prania e miqve dhe të afërmve do të nderojë kujtimin e të ndjerit dhe do të lehtësojë dhimbjen e familjes.
Për ngushëllime, familja do të presë të hënën dhe të martën.
“Faleminderit për mbështetjen dhe kujtimin e të dashurit tonë,” shkruan Samiri, duke falënderuar të gjithë ata që qëndrojnë pranë në këtë moment të vështirë.
Ngjarja e bën edhe më të prekshëm realitetin e shumë familjeve që ende presin lajme për më të dashurit e tyre të zhdukur.
Kush ishte Xheladin Kabashi?
Luftëtari i lirisë dhe ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xheladin Kabashi, ishte një prej shumë të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. Për 26 vite, fati i tij kishte mbetur i panjohur, duke lënë pas dhimbje dhe pasiguri për familjen dhe të dashurit e tij. Tashmë, pas gjithë këtyre viteve, eshtrat e tij janë identifikuar, duke i dhënë familjes mundësinë ta nderojnë siç meriton. Ky rast rikujton dhimbjen e të gjitha familjeve që ende presin për drejtësi dhe përgjigje për të zhdukurit tanë, ndërsa agresori serb ende nuk ka dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.
/Gazeta Papirus/