Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se 59 për qind e qytetarëve i janë përgjigjur pozitivisht iniciativës së “Ballkanit të Hapur” në kuadër të pyetjeve në Këshillimin Kombëtar.
Sipas Ramës, mbështetja është shumë e fortë, edhe pse në të gjitha pyetjet tjera përqindja pozitive ishte më e lartë. Në konferencën për media të enjten, Rama ka thënë se me Serbinë duhet të bashkëpunohet sepse “është fqinje që do të jetë aty gjithmonë”. Ai ka thënë se kjo iniciativë është edhe në favor të Kosovës.
Në anketë morën pjesë 303 mijë qytetarë.
“Nuk kam pritur luftën për politikat e jashtme të Serbisë. Nuk ka qenë vendimmarrja ime, që në Ballkan të gjendet dhe Serbia. Serbia është aty duam apo nuk duam ne. Është një fqinje që do të jetë aty gjithmonë. Marr parasysh këto dy gjëra marrëdhëniet e fqinjësisë me Serbinë janë shumë të rëndësishme edhe për faktin e ndryshimit mes nesh dhe tyre. Shqipëria, ‘Ballkanin e Hapur’ nuk e bën për Serbinë, por për veten e vet. Nuk mbron interesat e Serbisë, por interesat tona. ‘Ballkani i Hapur’ është një nismë interesash konverguese. Çdo konvergjencë i shërben paqes, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik dhe social. ‘Ballkani i Hapur’ është në interes të gjithë shqiptarëve edhe i Kosovës, por unë jam udhëheqës i Shqipërisë dhe jo i Kosovës”, ka thënë Rama.
Këshillimi Kombëtar qe lansuar me 24 dhjetor të vitit 2021 nga Rama. Disa javë pasi kryeministri Rama lansoi nismën e Këshillimit Kombëtar ishte publikuar edhe anketa me 12 pyetje drejtuar qytetarëve. Mes 12 çështjeve, kryeministri Rama pyet qytetarët lidhur edhe legalizimin e kanabisit për arsye shëndetësore, vendosjen me detyrim të certifikatës së vaksinimit në kushtet kur Shqipëria ende nuk ka ashpërsuar masat anticovid, shtimin e gjobave për evazionin fiskal, apo pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse vendosin haptas në kundërshtim me ligjin. Pyetësorin, Qeveria e mbyll me çështjen e Integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, duke i kërkuar mendim qytetarëve nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut për nisjen e negociatave me BE-në, apo nëse ‘Ballkani i Hapur’ është në interes të Shqipërisë.
Kryeministri I Shqipërisë Edi Rama kishte premtuar se do ta rishikojë “Open Balkan” nëse qytetarët i thonë “Jo” nismës së Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë Veriut.
Këto tri shtete që kanë nisur këtë iniciativë, që s’ka përkrahjen e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi, kanë thënë se qëllimi është për zhvillim më të shpejtë të përbashkët ekonomik.