Xhemshit Krasniqi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjatë një takimi me struktura të PDK-së dhe qytetarë në Fushë Kosovë, ka theksuar se kategoria e luftëtarëve të UÇK-së ka mbetur shumë e rënduar, duke kërkuar mbështetje të vazhdueshme për ta, shkruan Gazeta Papirus.
Në këtë takim, Krasniqi, foli për sakrificat e popullit të Kosovës për liri dhe çlirim, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të PDK-së dhe drejtuesve të saj në Luftën Çlirimtare.
Ai vuri në dukje rolin e PDK-së, sidomos të liderëve të saj, në organizimin e luftës çlirimtare dhe në realizimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Krasniqi nënvizoi se, falë sakrificave të mëdha, populli i Kosovës arriti të krijojë shtetin e tij të pavarur, një proces që ishte i mundur vetëm me angazhimin e të gjithë atyre që kontribuuan në këtë luftë të drejtë.
Gjatë takimit, ai dhe kandidatët e tjerë të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit shpalosën programin e partisë, duke kërkuar mbështetje për një të ardhme më të zhvilluar dhe të qëndrueshme për Kosovën. /Gazeta Papirus/