Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Me dhunë nga bashkëshorti është përballur edhe një grua në qytetin e Gjakovës, e cila vendosi që keqtrajtimit psikik e fizik nga ana e partnerit t’i japë fund duke u larguar nga ai.
Sinjali mëson se gjatë ditës së djeshme ajo ka kërkuar ndihmën e shtetit që të shpëtojë nga dhuna e vazhdueshme të cilën dyshohet se e ushtroi bashkëshorti i saj. Ndër të tjera, ajo mori edhe tretman mjekësor për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej.
Në praninë e zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale, 42-vjeçarja ka kërkuar që të dërgohet dhe të vazhdojë jetën në shtëpinë e vëllait të saj, duke refuzuar që të dërgohet në strehimore.
Ndërkohë i dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.