Prokuroria në Prizren ka dhënë detaje për aksionin anti-drogë të zhvilluar sot në Shirokë të Suharekës.
Në një konferencë për media, Prokuroria bën të ditur se janë arrestuar 6 persona, ku 4 prej tyre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa 2 shtetas të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Gjatë ditës së sotme është zhvilluar një aksion për bastisjen në një lokacion në Shirokë të Suharekës nën dyshimin për trafikimin me narkotikë… të cilin e konsiderojmë se ka qenë i sukseshëm. Lidhur me këtë rast hetimet kemi filluar më 4 shkurt të këtij viti, ndaj 3 personave ku njëri nga ta është arrestuar ditën e sotme. Me rastin e bastisjes janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar 6 persona, 4 janë shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 2 janë shtetas të Republikës së Kosovës”, thonë nga Prokuroria.
Prokuroria bën të ditur se bastisja është kryer në një objekt 7 katësh, ku në kulmin e këtij objekti është gjetur një laborator për kultivimin e bimës kanabis.
“Kemi gjetur rreth 32 kg marihuanë, 2059 bimë të mbjellura në saksi të cilat janë konfiskuar, dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura për shitje”, u tha në konferencën për media.
Po ashtu u bë e ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri automjete të tipit BMW, Ford dhe Opel Zafira.
“Si dhe janë sekuestruar 6 telefona celularë, DVR, një llapotp dhe 2185 euro para të gatshme”, u tha në konferencë.