Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), përmes një njoftimi për media, bën të ditur që, sipas të dhënave nga Enti Federal i Statistikave, në periudhën janar – shtator 2021 eksporti nga Kosova në drejtim të Gjermanisë arriti vlerën prej rreth 40 milionë eurove.
Në periudhën e njëjtë të vitit 2020 eksporti ishte në vlerë rreth 30 milionë euro, që do të thotë ka 39% rritje të eksportit nga Kosova në Gjermani në periudhën janar – shtator 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, raporton “Zëri”.
OEGJK-ja njofton që edhe gjatë vitit të kaluar, në kohë pandemie, pati rritje të eksportit mbi 40% për në Gjermani, në krahasim me vitin 2019.
Nora Hasani, drejtoresha ekzekutive e OEGJK-së, tregon se vështirësitë që kompanitë gjermane kanë hasur në zinxhirët e tyre të furnizimit gjatë pandemisë u kanë mundësuar disa kompanive kosovare që të bëhen furnitorë për kompani gjermane.
“Për disa kompani gjermane Ballkani Perëndimor, e në veçanti Kosova, është territor akoma i paeksploruar, por me shumë potencial për gjetjen e furnitorëve të rinj. Për kompanitë evropiane e gjermane që duan të diversifikojnë furnitorët, prodhuesit kosovarë mund të ofrojnë produkte cilësore që transportohen në rrugë më të shkurtra dhe më të shpejta sesa kur furnizimi bëhet nga Azia”, thotë Hasani dhe thekson se në OEGJK që nga fillimi i pandemisë janë rritur dukshëm kërkesat nga kompanitë gjermane për të gjetur furnitorë nga Kosova për produkte dhe gjysmëprodukte.
Produktet më të eksportuara nga Kosova në Gjermani për periudhën janar – shtator 2021 ishin: Pajisjet e ndërtimit prej plastikës, thasët dhe çantat për paketimin e mallrave, veshje prej telave të gizës apo çelikut, mobilieria dhe produkte metalike.
OEGJK-ja, përmes këshillimit për eksport, trajnimeve dhe aktiviteteve konkrete me asociacionet e saj partnere në Gjermani, mbështet në mënyrë të vazhdueshme kompanitë kosovare që kanë synim tregun gjerman