Mosmarrëveshjet e momentit mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy vëllezër të moshave 24 dhe 20 vjeç.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se dy të rinjtë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që kanë dhënë edhe dëshminë e tyre në Polici lidhur me atë që ka ndodhur.
Bazuar në dëshminë e tyre, derisa ishin duke punuar në një kafene, i dyshuari i ka sulmuar ata duke i goditur edhe me një çekiç dhe si pasojë kanë pësuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, 36-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në stacion ku është intervistuar lidhur me rastin.
I dyshuari ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet dhe sipas tij, këtë e ka bërë për shkak se njëri prej vëllezërve të cilët i ka sulmuar, është në lidhje dashurie me mbesën e tij.
I njëjti ka mohuar të ketë përdorur mjete të forta për t’i goditur.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.