Shkruan ,Bajram Lani
Ja pse duhet të ketë riverifikim të veteranëve!
“Kam frikë se mund të vdes pa u zgjidhur statusi im. Familja ime nuk e meriton këtë poshtërim”
Ky është një citat i deklaratës që baba jem e dha në gusht të vitit të kaluar në një intervistë dhënë gazetares Serbeze Haxhiaj për BIRN-in, vetëm pak ditë para se të mbetej i shtrirë në shtrat, ku qëndroi për më shumë se gjashtë muaj para se të largohej nga kjo botë.
Ishte ndjerë i poshtëruar në vitin 2018 kur emri i tij ishte përfshirë në mesin e mbi 2 mijë emrave që i janë shtuar në mënyrë të pashpjegueshme listës së veteranëve të rrejshëm, të cilën e kishte publikuar në vitin 2017 prokurori special Elez Blakaj, i cili kishte përgatitur aktakuzën ku pretendohej se 19 mijë persona ishin përfitues të paligjshëm të statusit të veteranit. Blakaj, që dha dorëheqje më pas duke thënë se ishte kërcënuar, pranoi që listës së tij i ishin shtuar mbi 2 mijë emra të tjerë. Në atë listë është edhe baba, dhe pothuajse komplet pika e tij, që ka funksionuar që nga dimri i vitit 1998. Pra, qëllimshëm, dikush i ka përfshirë emrat e tyre në listën e veteranëve të rrejshëm, sikur që ka ndodhë edhe në zonat e tjera, më qëllim të diskreditimit të procesit të hetimit të veteranëve të rrejshëm.
Ishte 16 shtatori i vitit 2018 kur në mbrëmje vonë e pashë në media listën prej mbi 2 mijë emrash të të dyshuarve si veteranë të rrejshëm që i ishte shtuar listës së prokurorit Blakaj. Aty ishte edhe emri i babës (Muhamet Lani). Nuk e thirra në telefon nga frika se mund t’i ngritej tensioni nga i cili kishte vite që vuante. Të nesërmen kur i shkova për vizitë, ai i pari e përmendi punën e listës. Ishte i qetë dhe bënte shaka me atë listë, megjithëse e dija se e brente kjo gjë.
Ndonëse ai insistonte vazhdimisht që të dihej saktë kush është veteran e kush jo, deri diku e arsyetonte përfshirjen e atyre personave që nuk kishin qenë ushtarë në luftë, por në liri ishin pa të ardhura financiare ose me ndonjë invaliditet të mëhershëm. E që ishin të pakët. E arsyetonte këtë me faktin që ishte një kategori e njerëzve që as nuk mund të gjenin punë për shkak të moshës, as nuk e kishin moshën e pensionit, as nuk përfitonin nga skemat sociale.
Baba ishte humanist i madh dhe e arsyetonte këtë kategori që ishin bërë rrejshëm veteranë të luftës sa për të përfituar një pension për mbijetesë. Por nuk i arsyetonte assesi ata që përmes lidhjeve të ndryshme me komandantë të caktuar e me njerëz të pushtetshëm kishin fituar rrejshëm statusin e veteranit, jo aq për të përfituar financiarisht, sa për ta përmbushur deficitin e tyre patriotik, për ta kënaqur egon dhe për të përfituar një status “më të lartë shoqëror” si veteranë të UÇK-së. E të tillë ka shumë. Edhe në vitin 2018 baba kishte folë për media ku kishte treguar se e ka dorëzuar dokumentacionin në gjykatë për të dëshmuar vërtetësinë e statusit të tij si veteran i UÇK-së, ndërsa ishte i bindur se numri i veteranëve të rrejshëm ishte më i madh se 20 mijë, siç pretendohej nga prokuroria.
Sidoqoftë kjo çështje u zvarrit dhe sot e kësaj dite nuk ka një sqarim apo përmirësim të listave të veteranëve të rrejshëm ku janë futur padrejtësisht veteranët e vërtetë, duke përfshi këtu edhe babën.
Pak ditë para se të ndërronte jetë, baba e mori një mirënjohje (mbase të vonuar) nga dy bashkëluftëtarë të tij, ish komandantë, të cilët ia dorëzuan në shtëpi, te shtrati ku ai po i kalonte ditët e fundit. Mori mirënjohje nga ata që e njohin kontributin e tij, siç ua njihte edhe ai kontributin e tyre. Por, i mbeti emri në listat e veteranëve të rrejshëm. Dhe nuk është i vetmi.
Ka edhe ish ushtarë të tjerë të UÇK-së që kanë vdekur, e të tjerë që janë lodhur e plakur, ndërsa në shpinë e mbajnë etiketën e veteranit të rrejshëm, që ua vendosën institucionet e shtetit të tyre.
Prandaj, hetimi për veteranët e rrejshëm duhet të thellohet edhe përtej asaj se kush është veteran i vërtetë e kush i rrejshëm. Duhet të hetohet kush i bëri veteranë të vërtetë ata që s’kishin qenë fare ushtarë, e kush i futi në listën e veteranëve të rrejshëm veteranët e vërtetë. Kush luajti me dinjitetin dhe me imazhin e atyre që dhanë gjithçka nga vetja për lirinë e Kosovës, e ishin në gjendje të japin edhe jetën. Nëse jo dëmshpërblim për dëmin moral që iu bëri, ky shtet u ka borxh një sqarim veteranëve të vërtetë që ua ka cënuar imazhin dhe dinjitetin, që me futjen në listat e veteranëve të rrejshëm, përveç që ua baltosi kontributin e dhënë në luftë, ua mveshi edhe etiketën si dëmtues të buxhetit të shtetit. Prandaj duhet të ketë riverifikim të veteranëve. Ky është një borxh që shteti e ka ndaj atyre veteranëve që u fyen me përfshirjen e tyre qëllimshëm në listat e mashtruesve. Ky shtet i ka borxh edhe babës tem tashmë të ndjerë. I ka borxh t’ia kthej statusin e veteranit të vërtetë. Jo borxh që paguhet me para, sepse tek e fundit, edhe intervistën për BIRN-in verën e kaluar, ai e përmbyllë me fjalët:
“Unë nuk luftova që të paguhesha. Nuk isha mercenar”.
/Gazeta Papirus/