Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës dhe disa studentëve nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit. Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit dhe i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë. Pjesëmarrësit e këtij aksioni humanitar kanë deklaruar se Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë kishte për qëllim shërimin e plagës qindvjeçare të gjakmarrjes, dhënien fund të gjakmarrjes dhe bashkimin e popullit në rrugën për çlirim. Aktivistët e këtij aksioni kanë vlerësuar se aksioni aq sa ishte human ishte edhe atdhetar dhe politik si dhe tregoi një nivel të lartë të vetëdijes sonë kombëtare sepse arriti ta bashkoi popullin që lufta çlirimtare të na gjejë të bashkuar e pa plagët e vëllavrasjes.