Policia Rajonale në Prishtinë në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimet për një rast të shantazhit, që u denoncua të martën pasdite. Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë duke raportuar detajet e ngjarjes dhe si rezultat rasti është iniciuar, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, viktima ka raportuar se derisa ka qenë në një lokal ka pranuar një mesazh nga personi i dyshuar, që lidhet me një material kundër tij që i njëjti pretendon se e posedon.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e ankuesit, në mesazhin që i shkoi, i dyshuari ndër të tjera i ka thënë se e ka një video incizim për një “dëm të madh” që sipas tij iu ka bërë viktimës.
Për shitjen e këtij materiali, i njëjti ka kërkuar shumën e të hollave prej 300 mijë eurosh.
Pasi pranoi mesazhin, viktima ia ka mësyrë Policisë dhe ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin.
Me të përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet në drejtim të veprës penale “Shantazhi” dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme për të identifikuar të dyshuarin.