Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se Komuna e Prishtinës sot ka marrë vendim që punëtorëve teknikë të shkollave të Prishtinës, t’iu rritet paga.
“Pas presionit sindikal, Komuna e Prishtinës lëvizi, sa është e mjaftueshme kjo, do të vendosin punëtorët”, ka shkruar ai.
Teksa ka publikuar edhe emailin e dërguar nga Drejtoria e Arsimit.
“Përmes këtij emaili ju njoftojmë se paga bruto për punëtorët teknikë në kontratën e radhës do të jetë 300 euro. Gjithashtu ju njoftojmë që ashtu siç jemi dakorduar, do të bashkëpunojmë me cilindo operator ekonomik që do të përzgjidhet me procedurë të prokurimit, që të angazhojë punëtorët teknikë aktual, gjë që e cila është në vullnetin e operatorit. Ju njoftoj që nëse nuk ofrohen shërbimet e mirëmbajtjes, sipas kontratës me kompaninë ‘Krasniqi’, si komunë detyrohemi që të mos bëjmë pagesën e faturave për operatorin ekonomik”, thuhet në email.
Ndryshe Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat në Kosovë, i kishte dhënë ultimatum Komunës së Prishtinës që t’i rrisin pagat për punëtorët teknikë të shkollave në kryeqytet deri të hënën. Në të kundërtën ata do të futeshin në grevë nga dita e martë./teve1.info./