Një shtetas shqiptar është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës pasi u zbuluan 28,800 cigare të padeklaruara, të destinuara për fluturimin Prishtinë–Londër, transmeton Gazeta Papirus.
Gjatë kontrollit rutinë doganor, autoritetet zbuluan 144 boksa cigare me banderola të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat udhëtari nuk i kishte deklaruar, siç kërkohet me ligj.
Kontrolli u realizua rreth orës 10:30 të mëngjesit, dhe cigaret u identifikuan përmes skanimit të bagazheve. Dogana e Kosovës konfiskoi mallin dhe ka klasifikuar rastin si një kundërvajtje doganore, duke e dërguar çështjen për trajtim sipas procedurave ligjore të vendit.
“Mallrat janë identifikuar përmes skanimit të bagazheve dhe në prani të vetë udhëtarit. Bëhet fjalë për 144 boksa cigare, të cilat nuk ishin deklaruar, siç kërkohet me ligj”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Më datë 06.04.2025, rreth orës 10:30, në dalje të Aeroportit të Prishtinës, gjatë kontrollit doganor është ndaluar një udhëtar me fluturimin Prishtinë–Londër, shtetas shqiptar.
Gjatë kontrollit të bagazheve të tij, të realizuar përmes skanimit dhe në prani të tij, është zbuluar mall i padeklaruar – konkretisht, sasi e konsiderueshme e cigareve me banderola të Shqipërisë dhe RKS-së, si më poshtë:
Totali: 28,800 copë cigare (144 boksa)
Malli është ndaluar sipas procedurave si dhe rastit është duke u trajtuar si kundërvajtje doganore, derisa mallrat jane konfiskuar.