Rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave zakonisht zbulohen si rezultat i denoncimit nga vetë ana e viktimave. Por kështu nuk ndodhi me një rast në Ferizaj, ku viktimë është një 25-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Një video e publikuar në rrjetin social TikTok ku shiheshin shenjat e dhunës që dyshohet se ia shkaktoi i dashuri i saj, kanë aktivizuar Policinë të cilët kanë nisur hetimet dhe kanë arrestuar një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur në fillim të muajit shkurt, por që i dyshuari kishte arritur që deri më tash t’i ikte arrestimit.
Gjatë ditës së djeshme, 22-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, i riu do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim trupor’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.