31 marsi i këtij viti shënon 24 vjetorin e masakrës makabre në Pastasellë të komunës së Rahovecit nga forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999.
Gjatë kësaj masakre janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth, të cilët më pas dyshohet edhe të jenë djegur. Andaj, edhe sot familjarët kërkojnë ende trupat e personave që figurojnë të pagjetur. Përderisa nga kjo ndodhi kanë mbijetuar edhe 13 persona.
Në po këtë ditë, shënohet edhe 24 vjetori i masakrës në Burim të Malishevës, ku të vrarë mbeten 42 civilë shqiptarë.
Këto masakra i përkujtoi edhe e para e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se është kërkesë e përhershme e Kosovës kërkimi i drejtësisë për viktimat dhe të pagjeturit.
“Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil. Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm”.
Po ashtu, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përkujtoi masakrat, duke thënë se ende asnjë s’është dënuar për këto krime.
“Kujtojmë motrat e vëllezërit tanë, që u martirizuan 24 vjet më parë në Pastasel të Rahovecit. Dora barbare, nuk i kurseu as të miturit, as gratë e pleqtë, në tentim të zhbërjes së qenies tonë. Përgjegjësit për këtë krim makabër mbesin ende të pandëshkuar!”.