Sot janë bërë 24 vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut. Organizatat e dala nga lufta atje përkujtuan ngjarjet e asaj kohe duke organizuar një manifestim dhe homazhe, derisa presidentja Osmani përmes një shkrimi në rrjetet sociale përkujtoi këtë masakër duke theksuar se regjimi kriminal i Serbisë kishte qëllim shfarosjen dhe spastrimin etnik.
21 maji i vitit 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e Stagovës së Kaçanikut kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjet e kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviçit.
13 banorë të fshatit u vranë derisa u dogjën gjysma e shtëpive të këtij fshati.
Në shënimin e kësaj dite u tha se pa dëshmorët dhe martirët e rënë në luftën e fundit nuk do të mund ta gëzonim lirinë që e kemi sot.
Qamil Stagova nga Komuna e Kaçanikut, tha se të rënët për lirinë e Kosovës, sakrifikuan jetën e tyre.
Sipas tij regjimi i Serbisë e kishte kuptuar se i kishte ardhur fundit në Kosovë dhe për këtë iu kishte sulur çdo gjëje shqiptare.
Masakrën e Stagovës e ka përkujtuar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“24-vjet më parë forcat paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë, në fshatin Stagovë të Kaçanikut vranë 13 banorë të fshatit dhe dogjën gjysmën e shtëpive. Qëllimet barbare të regjimit kriminal ishin evidente: shfarosja dhe spastrimi etnik. Kujtimi për martirët e Stagovës është i përhershëm, sikurse edhe përpjekja e vazhdueshme për t`i sjellë autorët e krimeve para drejtësisë”, ka shkruar presidentja Osmani në Facebook.